 |  |
GJUHA SHQYPE
Porsi kanga e zogut t´veres,
Qi vallzon n´blerim të Prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjit e drandofillit:
Porsi vala e bregut t´detit,
Porsi gjama errfes zhgjetare,
Porsi ushtima e njij termetit,
Njashtu a´ gjuha e jonë shqyptare,
Ah! Po; a´e ambel fjala esajë,
Porsi gjumi m´nji kerthi,
Porsidrita plot uzdajë,
Porsi gazi i pa mashtri;
Edhe ndihet tue kumbue,
Porsi fleta e Kerubimit,
Ka, i bjen qiellvet tue flutrue
N´t´zjarta valle t´ameshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqiptari,
Qi ketë gjuhë të Perendisë,
Trashigim, s´i a len ai fmis ;
Edhe atij i u thaftë, po , goja,
Qi e përbuzë ketë gjuhë hyjnore ;
Qi n´gjuhë t´huej, kur s´ashtë
nevoja,
Flet e t´veten len mbas dore.
Në gjuhë shqype nana t´ona
Shi prej djepit na kanë thanun,
Se asht nji Zot, qi do t´a dona ;
Njatë, qi jeten na ka dhanun ;
Edhe shqyp na thanë se Zoti
Për Shqyptarë shqypnin e fali,
Se sa t´enden stina e motit,
Do t´a gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vetë, po pik´ma para,
N´agim t´jetës kur kemi shkue
Tue ndjekë flutra nepër ara,
Shqyp ma s´pari kemi kndue:
Kemi kndue, po armët besnike,
Qi flakue kanë n´dorë t´Shqyptarvet,
Kah kanë dekë per besë jetike,
Kah kanë dekë kta per dhe t´t´Parvet.
Në ketë gjuhë edhe njai leka,
Qi ´i rruzullin mbretnin s´i a xuni,
Qi kah bijte ai, shkelte deka,
Shekllit mbarë ligjë t´randë i vuni ;
Në këtë gjuhë edhe Kastriota
U pat folë njatyne ushtrive,
Qi sa t´ndrisë e diellit rrota,
Kanë me kenë ndera e trimave.
Pra, Shqyptarë, çdo fes qi t jini,
Gegë e Toskë, malci e qyteta,
Gjuhën t´uej kurr mos ta lini,
Mos t´a lini sa t´jetë jeta,
Por per të gjithmonë punoni,
Pse, sa t´mbani gjuhën t´uej,
Fisi i juej, vendi e zakoni
Kanë me u mbajtë larg kambet s´huej.
Nper gjuhë shqype bota mbarë.
Ka me u njohtë se ç´fis ju kini,
Ka me u njohtë ju për Shqiptarë:
Trima n´za sikurse jini.
Prandej, pra, n e doni fisin,
Mali, bregu edhe Malcija
Prej njaj goje sod t´brohrisin :
Me gjuhë t´veten rrnoftë Shqypnija !
|
 |
 |